Këto janë ndryshimet më të fundit në legjislacionin shqiptar
Ligj Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” (i ndryshuar)
1. Shoqëritë tregtare, sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, (të ndryshuar),
pas pagimit të tatimit mbi fitimin, sipas dispozitave të kreut III të këtij ligji, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e mbylljes së vitit financiar, duhet të miratojnë në Asamblenë e Ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe ta destinojnë fitimin pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi;
2. Shoqëritë tregtare dhe personat fizikë, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin e organit përgjegjës/vendimin e personit fizik. Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë;
3. Personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor tatimin mbi dividendin e pagueshëm, sipas pikës 1 të këtij neni, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit;
4. Vendimi i asamblesë së ortakëve, i organit kompetent të shoqërisë/ vendimi i personit fizik, sipas këtij neni, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, duhet të paraqitet në organin tatimor, në përputhje me afatin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero. Për mosdepozitimin e vendimit zbatohen penalitetet, sipas pikës 2 të këtij neni;
Një kopje e vendimit duhet depozituar pranë QKR brenda datës 31.07.2013.
Në bazë të nenit 45 pika (a) e ligjit nr. 9723 datë 3.5.2007 “Për Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit”, subjektet duhet të dorëzojnë bilancin vjetor dhe pasqyrat financiare të vitit 2012 pranë sporteleve të QKR-së vetëm pas miratimit të tyre nga asambleja e ortakëve.
Për të dorëzuar bilancin dhe pasqyrat financiare ju duhet të paraqisni:
1. Vendimin e asamblesë së ortakëve në format PDF, ose JPEG.
2. Bilancin dhe pasqyrat financiare në formatin Excel dhe PDF.
Shënim:
1. Dorëzimi bëhet vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të QKR-së;
2. Dorëzimi i bilancit vjetor dhe pasqyrave financiare pranë sporteleve të QKR-së nuk e
përjashton subjektin nga dorëzimi i tyre pranë zyrave të tatim-taksave sipas legjislacionit tatimor.
Ligj nr. 154/2013 datë 30.5.2013
Për një ndryshim në ligjin nr. 10 418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, (të ndryshuar)
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e deputetit Edmond Spaho:
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, vendosi:
Neni 1
Në nenin 35 të ligjit nr. 10 418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, (të ndryshuar), data “31 mars 2012” bëhet “data 31 dhjetor 2013”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 30.5.2013 Shpallur me dekretin nr. 8217, datë 4.6.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani
Botuar në F. Zyrtare 95 / 2013
Dalë nga shtypi më 07.06.2013
Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor
Ky ligj:
a) përcakton parimet dhe garancitë, veprimet e subjekteve që përfitojnë nga legalizimi i kapitalit, kompetencat e organeve të administratës publike e të bankave, që të marrin pjesë në procesin e legalizimit të kapitalit, si dhe veprimtaritë e lidhura me këtë proces;
b) parashikon faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe kompetencat e organeve të administratave tatimore e doganore, të cilat evidentojnë tatimpaguesit/ debitorët që përfitojnë nga ky ligj.
Në ndryshimet e fundit ligjore vihet re: “Heqja e TAP-it për pagat nën 30.000 lekë”, edhe për ndryshimin për shpenzime të panjohura dhe konkretisht:
Ishte: I) shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit të faturuara nga persona te trete, por te palikuiduara brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi.
Behet: II) shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi.”.
Ligj nr. 107/ 2013 datë 28.03.2013
Për Disa Ndryshime Në Ligjin Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për Tatimin Mbi Të Ardhurat”, Të Ndryshuar
Sipas njoftimit në faqen zyrtare DPT – Duke filluar nga data 1 Maj 2013, pagat deri në 30.000 lekë do të përjashtohen nga Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi. Në zbatim të Ligjit numër 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, (i ndryshuar), Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi do të zbatohet për pagat mbi 30.000 lekë.
Ligji 106/ 2013 datë 28.03.2013
Për disa shtesa Në Ligjin Nr. 9632, Datë 30.10.2006 “Për Sistemin E Taksave Vendore”, Të Ndryshuar
Vendim Nr. 180, datë 13.2.2013
Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe të procedurave të përjashtimeve e të kritereve përkatëse. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “g”, “gj” e “i” të nenit 261/1 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Në zbatim të shkronjave “g”, “gj” e “i” të nenit 26.1 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995, të ndryshuar, subjekt i këtij vendimi janë:
a) tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë;
b) tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit;
c) tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit;
ç) tatimpaguesit, subjekt i taksës së biznesit të vogël, të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.
